Çfarë po ndodh me pallatet e sportit në Shqipëri?
Pallatet e Sportit janë vepra publike me ndikim të rëndësishëm në strukturën urbane të qyteteve tona dhe të lidhura ngushtë me kujtesën kolektive. Modernizimi i tyre nuk justifikon transformimin e karakterit dhe të tipareve arkitektonike, aq më pak shembjen e tyre.
Pallati i Sportit në Tiranë, projektuar nga Koço Miho në fillim të viteve 1960; Pallati i Sportit në Durrës, projektuar nga Sokrat Mosko në vitet 1969–1971; dhe Pallati i Sportit në Korçë, projektuar nga Mauricio Bego në vitet 1973–1976, janë vepra që meritojnë të ruhen si pjesë e rëndësishme e trashëgimisë arkitekturore, kulturore dhe sportive të Shqipërisë së shekullit XX.
Përshtatja e tyre me nevojat bashkëkohore duhet të realizohet duke ruajtur integritetin arkitektonik të veprës dhe pa cenuar vlerat e saj themelore. Ndërhyrjet duhet të ruajnë tiparet origjinale, materialet dhe shprehjen arkitektonike të ndërtesave. Çdo transformim duhet të jetë i domosdoshëm, minimal dhe, kur është e mundur, i kthyeshëm, në përputhje me parimet e ruajtjes së autenticitetit.
Modernizimi duhet të sigurojë vazhdimësinë e këtyre veprave, jo humbjen e identitetit të tyre arkitektonik.


