Sheshi “Nënë Tereza” nuk është vetëm një shesh

Docomomo Albania është njohur, përmes publikimit online, me projektin për rikonceptimin e Sheshit “Nënë Tereza”. Ndërhyrja e paraqitur vjen pa një proces të qartë dhe të hapur të ballafaqimit të ideve, pa një diskutim publik dhe pa një përfshirje të dukshme të komunitetit dhe profesionistëve të fushës.

Sheshi “Nënë Tereza” është një nga hapësirat urbane më të rëndësishme të Tiranës. Ai nuk është vetëm një shesh, por pjesë e një ansambli urban me vlera të veçanta arkitekturore, urbane, historike dhe kompozicionale. Marrëdhënia ndërmjet sheshit, aksit monumental të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ndërtesave institucionale dhe Stadiumit Kombëtar krijon një tërësi me tipare të qarta hapësinore dhe arkitekturore.

Pikërisht për këtë arsye, çdo ndërhyrje në këtë hapësirë duhet të mbështetet në njohjen dhe dokumentimin e vlerave ekzistuese, në një proces të kujdesshëm projektimi dhe në një diskutim të gjerë profesional e publik.

Docomomo Albania e vlerëson me shqetësim projektin e propozuar, i cili, në vijim të transformimeve të fundit të këtij segmenti të aksit monumental, rrezikon të thellojë më tej fragmentimin e këtij peizazhi urban me vlera të veçanta për qytetin.

Çështja nuk është nëse një hapësirë publike duhet të përshtatet me nevojat bashkëkohore. Çështja është si ndërhyhet në një ansambël me vlera të konsoliduara urbane dhe arkitekturore, pa cenuar identitetin, koherencën dhe karakterin e tij. Një ndërhyrje bashkëkohore mund të jetë e pranishme dhe e dallueshme, por duhet të ndërtojë një marrëdhënie të përgjegjshme me arkitekturën dhe hapësirën ekzistuese.

Për të kuptuar përse ky shesh kërkon një qasje të veçantë, duhet të rikthehemi te historia dhe karakteri i tij urban e arkitektonik.

Sheshi “Nënë Tereza” është një nga shembujt më të rëndësishëm në Tiranë të një hapësire ku arkitektura dhe urbanistika janë menduar si një tërësi. Ai u konceptua në kuadër të transformimit të Tiranës gjatë periudhës italiane, në vitet 1939–1941, nga arkitekti italian Gherardo Bosio. Fillimisht i njohur si Piazza del Littorio, sheshi përbënte përfundimin jugor të aksit monumental të bulevardit, duke krijuar një marrëdhënie të fuqishme ndërmjet perspektivës urbane, hapësirës publike dhe arkitekturës institucionale.

Bosio nuk projektoi një shesh të shkëputur nga konteksti, por një ansambël urban, ku ndërtesat, hapësirat ndërmjet tyre, aksi i bulevardit, stadiumi dhe vetë sheshi formonin një kompozim të unifikuar.

Ndërtesat që e përcaktojnë këtë ansambël – ndër të cilat ish-Casa del Fascio, sot Universiteti Politeknik; ish-Casa della Gioventù Littoria Albanese, sot pjesë e kompleksit universitar; dhe ish-Opera Dopolavoro Albanese, sot Universiteti i Arteve – shfaqin karakteristika të racionalizmit italian: volumetri të qarta, forma gjeometrike, ritëm të rregullt, monumentalitet të kontrolluar dhe marrëdhënie të drejtpërdrejtë ndërmjet ndërtesës dhe hapësirës publike.

Por vlera e këtij vendi nuk qëndron vetëm te ndërtesat individuale apo te sheshi. Ajo që e bën të veçantë është koherenca e të gjithë ansamblit: shkalla urbane, perspektiva e aksit monumental, raporti ndërmjet hapësirës së lirë dhe masave të ndërtuara, marrëdhënia me stadiumin, ritmi arkitekturor dhe vazhdimësia e funksionit publik e institucional.

Pra, Sheshi “Nënë Tereza” nuk është vetëm një shesh. Është pjesë e një sistemi urban ku hapësira publike, arkitektura dhe infrastruktura publike janë menduar në marrëdhënie të drejtpërdrejtë me njëra-tjetrën. Për këtë arsye, çdo ndryshim i rëndësishëm në sipërfaqe, topografinë e saj apo marrëdhënien me elementët e ansamblit ndikon në mënyrën se si lexohet dhe përjetohet ky fragment i rëndësishëm i qytetit.

Docomomo Albania e konsideron të domosdoshëm një proces transparent dhe të hapur projektimi, në të cilin vlerat arkitekturore, urbane dhe historike të Sheshit “Nënë Tereza” të dokumentohen, analizohen dhe diskutohen publikisht përpara marrjes së vendimeve përfundimtare.

Ne besojmë se zhvillimi bashkëkohor i Tiranës nuk duhet të nënkuptojë zëvendësimin e vazhdueshëm të identitetit të saj urban me imazhe të reja, por aftësinë për të ndërhyrë në mënyrë bashkëkohore duke njohur, respektuar dhe interpretuar vlerat ekzistuese.

Sheshi “Nënë Tereza” nuk është vetëm një shesh. Është një pjesë e rëndësishme e historisë, kujtesës dhe identitetit arkitekturor të Tiranës. Çdo ndërhyrje në të duhet të nisë pikërisht nga kjo vlerë.


Projekti i ri