Piramida e Tiranës
Më 14 tetor 1988, u përurua Muzeu Enver Hoxha, i njohur gjerësisht si Piramida e Tiranës.
Ky muze është ndoshta vepra më komplekse dhe më e arritur e arkitekturës socialiste në Shqipëri. Zgjidhja formale, ajo hapësinore, struktura dhe teknologjia ndërtimore këtu sinkronizohen, duke krijuar një ndërtesë sa monumentale e simbolike, aq edhe atipike për kohën.
Vepra u projektua nga Klement Kolaneci, Pranvera Hoxha, Pirro Vaso dhe Vladimir Bregu për të përjetësuar figurën e diktatorit pas vdekjes së tij, por arriti ta kryente këtë funksion vetëm për pak kohë, deri në fillimin e lëvizjes demokratike dhe rënien e komunizmit në vitin 1991.
Më pas, godina pësoi një histori të gjatë tranzicioni. Fillimisht u shndërrua në Qendër Ndërkombëtare të Kulturës duke u kthyer në një nga objektet më të gjalla publike të kryeqytetit. Në vitin 2007 u tentua të kthehej në Teatër Kombëtar.
U kërcënua me shembje në vitin 2010 për realizimin e Kompleksit të Ri Parlamentar duke u bërë pjesë e një beteje politike dhe më pas u la në degradim të plotë.
Metamorfoza e Thellë
Projekti i prezantuar në vitin 2018 për transformimin e Piramides së braktisur në një Qendër Teknologjike për të rinj, mundi të realizohet pesë vite më vonë. Kjo ndërhyrje transformoi tërësisht karakterin dhe imazhin e godinës të shpallur më herët monument kulture. Duke ruajtur vetëm siluetën e jashtme, ndërhyrja ka tjetërsuar thelbin e strukturës origjinale.
Nga Piramida e dikurshme mbetet shumë histori, por pak dëshmi arkitektonike.
Rasti i Piramidës shtron një pyetje thelbësore për trashëgiminë e shekullit XX. Ku mbaron një ndërhyrje restauruese apo adaptuese dhe ku fillon cenimi dhe tjetërsimi i një vepre arkitektonike?











