
Docomomo Albania është degë kombëtare e rrjetit ndërkombëtar DoCoMoMo – një rrjet botëror që operon në mbi 80 vende dhe punon për Dokumentimin dhe Ruajtjen e ndërtesave, hapësirave dhe zonave urbane të lëvizjes moderne.

Qellimet tona
Lidhje dhe Partneritete
Synojmë të forcojmë lidhjet me degët e Docomomo-s në rajon dhe me organizatat e fushës, si edhe të ndërtojmë partneritete me universitete dhe institucione profesionale. Planifikojmë zhvillim të takimeve të rregullta për të nxitur bashkëpunimin dhe, në vitin 2026, organizimin e konferencës së parë kombëtare të Docomomo-s.
Kërkim dhe Dokumentim
Për të përmirësuar aksesin dhe shkëmbimin e informacionit, synojmë të krijojmë një bazë të dhënash për dokumentimin e arkitekturës së zhvilluar në Shqipëri gjatë shekullit XX. Kjo përfshin hartimin e Listës së Ndërtesave të Rrezikuara, mbledhjen e studimeve akademike dhe zhvillimin e një platforme online ku publikohen materialet kryesore, përfshirë fotografi, harta dhe vizatime arkitekturore.
Rritja e Ndërgjegjësimit Publik
Synojmë të forcojmë angazhimin publik përmes vizitave të organizuara në Tiranë dhe Durrës, ku evidentohen ndërtesat e rëndësishme dhe ato të rrezikuara, si edhe përmes punëtorive studentore të fokusuara në dokumentimin dhe katalogimin e tyre, duke nxitur gjeneratën e re të kontribuojë në ruajtjen e trashëgimisë arkitekturore.

Rreth nesh
Gjergji Islami
Gjergji Islami është një arkitekt dhe pedagog shqiptar. Ai ka studiuar Arkitekturë në Eastern Mediterranean University në Qipro dhe Ruajtje dhe Vlerësim të Trashëgimisë Kulturore në Universitetin e Urbinos “Carlo Bo” në Itali. Islami ka përfunduar studimet doktorale në Universitetin Politeknik të Tiranës, ku, prej vitit 2004, kontribuon si Lektor dhe Studiues dhe prej vitit 2022 si Profesor i Asociuar.
Islami është bashkautor i disa librave dhe ekspozitave mbi arkitekturën socialiste në Shqipëri dhe punon si arkitekt dhe konsulent planifikimi. Gjatë 20 viteve të fundit, ai ka bashkëpunuar me studio të njohura dhe ka fituar disa çmime në konkurse ndërkombëtare.
Henrike von Baeyer
Henrike von Baeyer ka studiuar Shkencat Politike në Freie Universität Berlin. Që nga viti 2014 punon në D:4 Architecture and Monument Preservation, ku në vitin 2020 u bë pjesë e menaxhimit dhe drejton departamentin e konsulencës.
Në këtë rol ka udhëhequr projekte të ndryshme dhe ka fituar përvojë praktike në fushën e ruajtjes së monumenteve. Ndër projektet kryesore përfshihen analiza e 400 pronave kishtare në Berlin (2014–2018); studimi i fizibilitetit për akomodimin e një agjencie të madhe federale gjermane në një kompleks të mbrojtur (2020); studimi i fizibilitetit për akomodimin e Arkivit të Ri Federal të Gjermanisë dhe Arkivit të ish-Sigurimit të Shtetit të RDGJ në një kompleks tjetër të mbrojtur në Berlin (2021); si edhe zhvillimi i metodave për vlerësimin e kostove dhe modernizimin e 300 ndërtesave kulturore të menaxhuara nga distriktet në Berlin — 60% e të cilave janë monumente — në bashkëpunim me Senatin e Kulturës (2023).
Që prej vitit 2016 punon gjithashtu me treppe b, galerinë dhe botuesin e D:4, ku ka fituar përvojë në botim, fundraising dhe organizimin e ekspozitave.
Në vitin 2020 u zhvendos në Tiranë, ku hapi një degë të D:4 Architecture dhe një hapësirë coworking, duke organizuar rregullisht evente dhe ekspozita. Aktualisht jeton dhe punon në Tiranë.
Ana Pekmezi
Ana Pekmezi është arkitekte dhe dizajnere e angazhuar në fushën e trashëgimisë kulturore, me fokus në kujtesën kolektive dhe identitetet shoqërore. Ajo u diplomua në Arkitekturë në vitin 2013 me tezën “Muzeu i Kujtesës – Shqipëria në periudhën socialiste” dhe prej më shumë se dhjetë vitesh ndërthur praktikën arkitekturore me komunikimin vizual.
Përvoja e saj profesionale përfshin koordinimin dhe realizimin e projekteve të komunikimit vizual në media të shtypura dhe dixhitale, si edhe punë në fotografi eksperimentale dhe fotojournalizëm. Ajo ka kryer dokumentime teknike të ndërtesave historike, vlerësime gjendjeje dhe hartëzime gjeohapësinore duke përdorur sistemet GIS.
Prej disa vitesh, Ana kontribuon edhe si pedagoge e jashtme në Fakultetin e Arkitekturës dhe Urbanistikës të Universitetit Politeknik të Tiranës.
Artan Kacani
Dr. Artan Kacani është urbanist, lektor dhe studiues i fokusuar në zhvillimin territorial në Shqipëri dhe në hapësirën mesdhetare. Me mbi 10 vite përvojë akademike, ai eksploron marrëdhënien midis politikave territoriale, historisë dhe së drejtës kushtetuese.
Ai është autor i studimit “Dealing with the Future of Emergent Settlements…” (2024), ku trajton sfidat ligjore dhe urbane të vendbanimeve informale në Tiranë, dhe i punimit “Defining Hindering Factors of Informal Settlements…” (2018), i cili analizon faktorët që pengojnë njohjen e pronësisë në Shkodër. Këto botime përfaqësojnë qasjen e tij kërkimore ndaj zhvillimit urban, informalitetit dhe menaxhimit të territorit.
Deni Klosi
Deni Klosi është arkitekt dhe urbanist shqiptar, i diplomuar në Universitetin Politeknik të Tiranës në vitin 2004 dhe me një Master të Nivelit të Dytë në “Housing and Land Development” nga Universiteti Polis dhe IHS Erasmus University (2013).
Me gati 20 vite përvojë, ai ka punuar në restaurimin e ndërtesave, projektimin e komplekseve banesore dhe institucioneve arsimore, si dhe në zhvillimin urban. Ka drejtuar “Atelier Albania” dhe ka shërbyer si zëvendësdrejtor në Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, duke kontribuar në politikat urbane, mbrojtjen e zonave historike dhe zhvillimin e zonave informale.
Që prej vitit 2020, ai udhëheq projekte teknike dhe ndërtimore në Fondin Shqiptar të Zhvillimit. Aktualisht fokusohet në rikthimin inovativ të aseteve historike përmes parimeve të ekonomisë qarkore.
Denada Veizaj
Denada Veizaj u diplomua në Arkitekturë në Universitetin Politeknik të Tiranës në vitin 2007 dhe në vitin 2015 përfundoi doktoraturën mbi përdorimin e mjeteve analitike të avancuara për studimin e indeve urbane. Kërkimi i saj fokusohet në rolin e sistemeve gjeometrike në leximin dhe analizimin e modeleve urbane, me synimin për të ofruar qasje më të qëndrueshme në zhvillim.
Në vitet 2013 dhe 2016, ajo kreu studime pasuniversitare dhe pasdoktorale në Universitetin Erasmus në Rotterdam, në fushat e urbanizmit të avancuar, dinamikave urbane dhe qeverisjes.
Ajo ka botuar punime mbi dokumentimin e arkitekturës së periudhës komuniste dhe mbi rëndësinë e mjeteve teorike e praktike për interpretimin e mjedisit të ndërtuar.
Veizaj është pjesë e stafit akademik të Universitetit Politeknik të Tiranës që prej vitit 2008 dhe aktualisht është Profesore e Asociuar dhe Drejtore e Departamentit të Arkitekturës. Ajo ka shërbyer gjithashtu si Sekretare e Përgjithshme (2012–2016) dhe anëtare e Presidencës (2012–2021) në Shoqatën e Arkitektëve të Shqipërisë.
Doriana Bleta
Doriana Bozgo Bleta lindi në vitin 1975 në Tiranë. U diplomua në vitin 2000 në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit, në Departamentin e Arkitekturës dhe Urbanistikës të Universitetit Politeknik të Tiranës, me një projekt diplome për Muzeun e Artit Bashkëkohor, duke marrë titullin arkitekte.
Nga viti 2001 deri në 2004 punoi si Koordinatore e CMA për Programin e Rindërtimit të Infrastrukturës Arsimore në Shqipëri (AEDP). Që prej vitit 2004, ajo është pjesë e stafit akademik të Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës në UPT, ku ligjëron në Studio 1 & 2 dhe në Dizajn të Brendshëm. Ajo angazhohet në hulumtime shkencore, duke marrë pjesë në konferenca dhe botime që trajtojnë arkitekturën bashkëkohore dhe zhvillimin urban në Shqipëri, me fokus në identitetin arkitektonik të sotëm.
Në vitin 2000, së bashku me Ermal Bletën dhe Roland Likën, themeloi STUDIO B&L në Tiranë, një praktikë arkitekturore puna e së cilës është vlerësuar dhe botuar nga kritikë vendas dhe ndërkombëtarë.
Entela Daci
Entela Daci është arkitekte me përvojë të gjatë në mësimdhënie, arkitekturë, rilevim, konservim dhe restaurim të trashëgimisë kulturore. Ajo është veçanërisht e interesuar për vlerat dhe rolin e trashëgimisë kulturore në shoqërinë bashkëkohore, si dhe për përdorimin e teknologjive dhe metodologjive të reja në mbrojtjen, mirëmbajtjen dhe restaurimin e monumenteve dhe sitëve arkeologjike.
Në vitin 1991 u diplomua në Arkitekturë (M.Sc.) në Universitetin Politeknik të Tiranës. Më pas përfundoi një Master të nivelit të dytë në “Rilevim dhe Dokumentim Arkitekturor, Restaurim të Arkitekturës”, në kuadër të projektit HECD, me diplomë të përbashkët nga Università di Roma “La Sapienza”, Universidad Politecnica de Valencia dhe UPT. Në vitin 2016 mbrojti doktoraturën me temë mbi zhvillimin urban dhe monumentet e Durrësit në shekujt e parë pas Krishtit.
Aktualisht, ajo është lektore e lartë në lëndët “Teoria e Arkitekturës dhe Urbanizmit”, “Restaurimi i Monumenteve të Kulturës” dhe “Restaurim, Konservim dhe Vlerësim” në Fakultetin e Arkitekturës dhe Urbanistikës në UPT. Ajo ligjëron gjithashtu si pedagoge e ftuar në “Projektim Arkitekturor II” në Universitetin e Tiranës dhe bashkëpunon si autore në projekte arkitektonike dhe restaurimi në Tiranë dhe Noci (Bari), Itali.
Joli Mitrojorgji
Joli ka përfunduar Masterin Shkencor në Arkitekturë në Universitetin Politeknik të Tiranës dhe Masterin Profesional në Projektim Arkitekturor në Universitetin e Navarrës në Pamplona, Spanjë. Në vitin 2017 mori pjesë me sukses në programin DIPLOMAzia2 të CNR Itali, të dedikuar profesionistëve të rinj në fushën e trashëgimisë kulturore.
Që nga viti 2014 punon në Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, ku ka mbajtur disa pozicione dhe ka fituar përvojë në restaurimin e arkitekturës tradicionale dhe antiko–mesjetare, trajnimin e profesionistëve të rinj dhe bashkëpunimin me organizata ndërkombëtare. Aktualisht është Drejtoreshë e Drejtorisë së Monumenteve të Kulturës.
Ajo është gjithashtu pedagoge e jashtme në Universitetin Politeknik të Tiranës dhe autore/co-autore e artikujve kërkimorë mbi trashëgiminë kulturore. Së fundmi, Joli është licencuar si Certified Interpretive Planner dhe përfaqëson zyrtarisht Shqipërinë si Country Coordinator për Interpret Europe.
Lejla Hadzic
Lejla Hadžić është një arkitekte konservimi me mbi dy dekada përvojë në fushën e ruajtjes së trashëgimisë kulturore.
Aktualisht, ajo shërben si këshilltare për trashëgiminë kulturore në UNOPS, e cila po zbaton programin EU4Culture — investimin më të madh të Bashkimit Evropian për rehabilitimin pas tërmetit të 23 siteve të trashëgimisë kulturore. Qasja e tyre shumëdimensionale integron konservimin, kurimin, interpretimin multimedial, menaxhimin e trashëgimisë kulturore dhe politikat e reduktimit të rrezikut nga fatkeqësitë.
Më parë, Lejla drejtonte organizatën “Cultural Heritage without Borders Albania” dhe ka punuar në iniciativa që fokusoheshin në konservimin e ndërtesave, interpretimin dhe programe edukative për asetet e trashëgimisë në Shqipëri dhe Ballkanin Perëndimor.
Veçanërisht, CHwB ka udhëhequr projekte të rëndësishme si projektin e konservimit për Kalanë e Gjirokastrës dhe planin e Menaxhimit të Trashëgimisë Kulturore për Butrintin.